Connect with us

Bíblia ALB1

João 10

1 ''Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar;

2 kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve.

3 Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë.

4 Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij.

5 Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve''.

6 Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste.

7 Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve.

8 Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar.

9 Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.

10 Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.

11 Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.

12 Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.

13 Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t'ia dijë për delet.

14 Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,

15 ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.

16 Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t'i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.

17 Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.

18 Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im''.

19 Atëherë lindi përsëri një përçarje midis Judenjve për shkak të këtyre fjalëve.

20 Dhe shumë nga ata thoshnin: ''Ai ka një demon dhe nuk është në vete; përse e dëgjoni?''.

21 Të tjerë thoshnin: ''Këto nuk janë fjalë të një të demonizuari; a mundet një demon t'ua hap sytë të verbërve?''.

22 U kremtua festa e Kushtimit në Jeruzalem, dhe ishte dimër.

23 Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Salomonit.

24 E rrethuan, pra, Judenjtë dhe i thanë: ''Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas''.

25 Jezusi u përgjigj atyre: ''Unë jua kam thënë, por ju nuk besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua.

26 Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë.

27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin;

28 dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime.

29 Ati im, që m'i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t'i rrëmbejë nga dora e Atit tim.

30 Unë dhe Ati jemi një''.

31 Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë.

32 Jezusi u përgjigj atyre: ''Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?''.

33 Judenjtë u përgjigjën duke thënë: ''Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi''.

34 Jezusi u përgjigj atyre: ''A nuk është shkruar në ligjin tuaj: "Unë thashë: Ju jeni perëndi"?

35 Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë),

36 ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"?

37 Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni,

38 por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë''.

39 Për këtë arsye ata kërkonin përsëri ta kapnin, por ai ikte nga duart e tyre.

40 Dhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku më parë Gjoni pagëzonte; dhe ndaloi aty.

41 Dhe shumë veta erdhën tek ai dhe thoshnin: ''Gjoni vërtet nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka që Gjoni tha për këtë ishte e vërtetë''.

42 Dhe atje shumë veta besuan në të.

Continuar Lendo

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply