Connect with us

Bíblia ALB1

Jeremias 25

1 Fjala që iu drejtua Jeremias për tërë popullin e Judës, në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës (që ishte viti i parë i Nebukadnetsarit, mbret i Babilonisë),

2 dhe që Jeremia shqiptoi përpara tërë popullit të Judës dhe tërë banorëve të Jeruzalemit, duke thënë:

3 "Nga viti i trembëdhjetë i Josias, birit të Amonit, mbret i Judës, deri në këtë ditë janë njëzet e tre vjet që fjala e Zotit më është drejtuar, dhe unë ju kam folur me urgjencë dhe këmbëngulje, por ju nuk më keni dëgjuar.

4 Zoti ju ka dërguar gjithashtu tërë shërbëtorët e tij, profetët me urgjencë dhe këmbëngulje, por ju nuk e keni dëgjuar as keni vënë veshin për të dëgjuar.

5 Ata thonin: "Të kthehet secili nga rruga e tij e keqe dhe nga veprimet e liga, dhe do të banoni në vendin që Zoti ju ka dhënë juve dhe etërve tuaj ngaherë dhe përgjithnjë.

6 Mos shkoni mbas perëndive të tjera për t'u shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, mos provokoni zemërimin tim me veprën e duarve tuaja, dhe unë nuk do t'ju bëj asnjë të keqe".

7 Por ju nuk më keni dëgjuar", thotë Zoti, "dhe keni provokuar zemërimin tim me veprën e duarve tuaja në dëmin tuaj.

8 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive: Duke qenë se nuk keni dëgjuar fjalët e mia;

9 ja, unë do të dërgoj të marr tërë kombet e veriut", thotë Zoti, "dhe Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, shërbyesin tim, dhe do t'i sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, kundër tërë kombeve rreth e qark dhe do të caktoj shfarosjen e tyre dhe do t'i bëj objekt habie, talljeje dhe pikëllimi të përhershëm.

10 Do të bëj të heshtin në mes tyre britmat e gëzimit dhe të kënaqësisë, zëri i dhëndrit dhe ai i nuses, zhurma e mokrës dhe drita e llambës.

11 Tërë ky vend do të bëhet një shkreti dhe një objekt habie dhe këta kombe do t'i shërbejnë mbretit të Babilonisë shtatëdhjetë vjet me radhë".

12 "Po kur të mbushen shtatëdhjetë vjet, unë do ta dënoj mbretin e Babilonisë dhe atë komb, vendin e Kaldeasve", thotë Zoti, "për shkak të paudhësisë së tyre, dhe do ta katandis në një shkretim të përjetshëm.

13 Kështu do të sjell në këtë vend tërë gjërat që kam shpallur kundër tij, tërë gjërat që janë shkruar në këtë libër dhe që Jeremia ka profetizuar kundër të gjitha kombeve.

14 Në fakt shumë kombe dhe mbretër të fuqishëm do t'i kthejnë në robëri vetë Kaldeasit dhe unë do t'i shpërblej sipas veprimeve të tyre dhe sipas veprës së duarve të tyre".

15 Sepse kështu më ka thënë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Merr nga dora ime këtë kupë vere të zemërimit tim dhe bëj që të pinë tërë kombet te të cilët do të të dërgoj.

16 Ata do të pinë, do t'u merren këmbët dhe do të çmenden për shkak të shpatës që do të dërgoj në mes të tyre.

17 Atëherë mora kupën nga dora e Zotit dhe bëra që ta pinë tërë kombet pranë të cilëve më kishte dërguar Zoti:

18 Jeruzalemi dhe qytetet e Judës, mbretërit dhe princat e tij, për t'i katandisur në një shkatërrim, në një objekt habie, talljeje dhe mallkimi, siç po ndodh sot;

19 Faraoni, mbreti i Egjiptit, shërbëtorët e tij, princat dhe tërë populli i tij;

20 tërë popullata e përzier, tërë mbretërit e vendit të Uzit, tërë mbretërit e filistejve (domethënë Ashkeloni, Gaza, Ekroni dhe ata që mbetën nga Ashdodi);

21 Edomi, Moabi dhe bijtë e Amonit;

22 tërë mbretërit e Tiros, tërë mbretërit e Sidonit dhe mbretërit e ishujve që ndodhen matanë detit;

23 Dedani, Tema, Buzi dhe tërë ata që presin cepat e mjekrës;

24 tërë mbretërit e Arabisë, tërë mbretërit e popullatës së përzier që banon në shkretëtirë;

25 tërë mbretërit e Zimrit, tërë mbretërit e Elamit,

26 tërë mbretërit e Medias dhe tërë mbretërit e veriut, që janë afër ose larg, si njëri ashtu edhe tjetri, dhe tërë mbretëritë e botës që janë mbi faqen e dheut. Dhe mbreti i Sheshakut do të pijë mbas tyre.

27 "Ti, pra, do t'u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Pini, dehuni dhe villni; rrëzohuni pa u ngritur më nga shpata që do të dërgoj në mes jush.

28 Dhe në qoftë se nuk pranojnë nga dora jote kupën e pirjes, u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ju pa tjetër do të pini.

29 Sepse ja, unë po filloj të dënoj qytetin në të cilin përmendet emri im, dhe ju do të mbeteni plotësisht pa u ndëshkuar? Jo, nuk do të mbeteni të pandëshkuar, sepse unë do të thërres shpatën mbi të gjithë banorët e tokës", thotë Zoti i ushtrive.

30 "Prandaj profetizo kundër tyre tërë këto gjëra dhe u thuaj atyre: Zoti vrumbullon që lart dhe bën që të dëgjohet zëri i tij nga banesa e tij e shenjtë; ai do të vrumbullojë me forcë kundër vathës

31 Zhurma do të arrijë deri në skajet e tokës, sepse Zoti ka një mosmarrëveshje me kombet, do të hyjë në gjyq me çdo mish të gjallë dhe do t'i lërë të pabesët në mëshirë të shpatës, thotë Zoti".

32 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, një mjerim do të kalojë nga një komb te tjetri dhe një shakullinë e madhe do të ngrihet nga skajet e tokës.

33 Atë ditë ata që janë vrarë nga Zoti do të jenë kudo, nga njëri skaj i tokës te tjetri; nuk do të qahen dhe as do të mblidhen dhe do të varrosen, por do të bëhen pleh mbi faqen e dheut.

34 Bërtisni, o barinj, klithni: rrotullohuni në pluhur, o drejtues të kopesë, sepse ditët e therjes suaj janë plotësuar, dhe do të rrëzoheni si një enë e çmuar.

35 Barinjtë nuk do të kenë asnjë mundësi të ikin, dhe rojet e kopesë asnjë rrugë shpëtimi.

36 Do të dëgjohet britma e barinjve dhe rënkimi i drejtuesve të kopesë, sepse Zoti është duke shkatërruar kullotën e tyre,

37 dhe vathët e qeta janë shkatërruar për shkak të zemërimit të madh të Zotit.

38 Ai e ka lënë si një luan i vogël strehën e tij, sepse vendi i tyre është bërë një shkretëtirë për shkak të tërbimit të shtypësit, për shkak të zemërimit të zjarrtë të Zotit".

Continuar Lendo

Leave a Reply

O seu endereço de e-mail não será publicado. Campos obrigatórios são marcados com *