Connect with us

Bíblia ALB1

Jeremias 19

1 Kështu ka thënë Zoti: "Shko e bli një poç balte për ujë; pastaj merr disa pleq nga populli dhe disa pleq nga priftërinjtë

2 dhe dil në drejtim të luginës së birit të Hinomit që ndodhet në hyrje të Portës së poçerisë dhe aty shpall fjalët që do të të them.

3 Do të thuash kështu: Dëgjoni fjalën e Zotit, o mbret i Judës dhe banorë të Jeruzalemit. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë do të sjell mbi këtë vend një fatkeqësi të tillë që do të bëjë të shungullojnë veshët e cilitdo që do ta dëgjojë,

4 sepse më kanë braktisur, kanë përdhosur këtë vend dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera, që nuk i njihnin as ata vetë, as etërit e tyre, as mbretërit e Judës, dhe e kanë mbushur këtë vend me gjakun e të pafajmëve;

5 i kanë ndërtuar vendet e larta Baalit për të djegur bijtë e tyre në zjarr si olokaust Baalit, gjë që nuk kisha urdhëruar dhe për të cilën nuk kisha folur kurrë dhe nuk më kishte shkuar ndër mend.

6 Prandaj ja, ditët po vijnë", thotë Zoti, "kur ky vend nuk do të quhet më "Tofet", as "Lugina e birit të Hinomit", por "Lugina e masakrës".

7 Unë do t'i bëj të kota qëllimet e Judës dhe të Jeruzalemit në këtë vend dhe do të bëj që të rrëzohen nga shpata përpara armiqve të tyre, dhe nga dora e atyre që kërkojnë jetën e tyre, dhe do t'ua jap kufomat e tyre si ushqim shpendëve të qiellit dhe kafshëve të tokës.

8 Do ta katandis këtë qytet në një shkatërrim dhe në një objekt talljeje; kushdo që do t'i kalojë pranë do të mbetet i habitur dhe do të fillojë të fishkëllojë për tërë plagët e tij.

9 Do të bëj të hanë mishin e bijve të tyre dhe mishin e bijave të tyre dhe do të hanë mishin e njëri tjetrit gjatë rrethimit dhe shtrëngesës në të cilat do t'i ngushtojnë armiqtë e tyre dhe ata që kërkojnë jetën e tyre.

10 Pastaj do të thyesh poçin në prani të atyre njerëzve që do të kenë ardhur me ty

11 dhe do t'u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kështu do të copëtoj këtë popull dhe këtë qytet, ashtu si copëtohet një poç balte, që nuk mund të ndreqet më; atëherë do t'i varrosin të vdekurit në Tofet, sepse nuk do të ketë më vend për t'i varrosur.

12 Kështu do të veproj në këtë vend, thotë Zoti, dhe me banorët e tij, duke e bërë këtë qytet si Tofeti.

13 Shtëpitë e Jeruzalemit dhe shtëpitë e mbretërve të Judës do të jenë të papastra ashtu si vendi i Tofetit që janë të gjitha shtëpitë mbi çatitë e të cilave i kanë djegur temjan tërë ushtrisë së qiellit dhe u kanë bërë libacione perëndive të tjera".

14 Pastaj Jeremia u kthye nga Tofeti, ku Zoti e kishte dërguar të profetizonte, u ndal tek oborri i shtëpisë të Zotit dhe i tha tërë popullit:

15 "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë po sjell mbi këtë qytet dhe mbi të gjitha lagjet e tij të jashtme tërë të keqen që shqiptova kundër tij, sepse kanë fortësuar qafën e tyre për të mos dëgjuar fjalët e mia".

Continuar Lendo

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply