Connect with us

Bíblia ALB1

1 Coríntios 3

1 Dhe unë, o vëllezër, nuk munda t'ju flas si njerëz frymëror, por ju fola si njerëz të mishit, si foshnja në Krisht.

2 Ju dhashë qumësht për të pirë dhe nuk ju dhashë ushqim të fortë, sepse nuk ishit në gjendje ta asimilonit, madje edhe tani jo, sepse jeni akoma të mishit;

3 në fakt sepse midis jush ka smirë, grindje e përçarje a nuk jeni të mishit dhe a nuk ecni sipas mënyrës së njerëzve?

4 Sepse, kur dikush thotë: ''Unë jam i Palit'', dhe një tjetër: ''Unë jam i Apolit'', a nuk jeni ju të mishit?

5 Kush është, pra, Pali dhe kush është Apoli, veçse shërbëtor me anë të të cilëve ju besuat, edhe ashtu si Zoti i dha gjithsecilit?

6 Unë mbolla, Apoli ujiti, po Perëndia i bëri të rriten.

7 Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit.

8 Por ai që mbjell dhe ai që ujit janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit të tij.

9 Ne, pra, jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë; ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë.

10 Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të; por secili të ketë kujdes se si ndërton mbi të,

11 sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti.

12 Dhe, në qoftë se dikush ndërton mbi këtë themel ar, argjend, gurë të çmuar, dru, sanë, kashtë,

13 vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet me anë të zjarrit, dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç'lloji është.

14 Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim,

15 në qoftë se vepra e tij digjet, ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit.

16 A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?

17 Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë, sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë.

18 Askush të mos mashtrojë vetveten; në qoftë se ndonjë nga ju mendon se është i urtë në këtë kohë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i urtë.

19 Sepse dituria e kësaj bote është marrëzi pranë Perëndisë, sepse është shkruar: ''Ai i zë të urtët në dinakërinë e tyre'';

20 dhe përsëri: ''Zoti i njeh mendimet e të urtëve se janë të kota''.

21 Prandaj asnjë të mos mburret në njerëzit, sepse të gjitha gjërat janë tuajat;

22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, gjërat e tanishme dhe gjërat e ardhshme, të gjitha gjërat janë tuajat.

23 Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.

Continuar Lendo

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply